Hartimi i Statutit dhe Rregullores së Anëtarësimit në Rrjetin e Arsimit për të Rritur në Kosovë – ALE NK
Më 9–11 mars 2023, anëtarët e rrjetit ALE NK organizuan një punëtori tre ditore e cila iu kushtua hartimit të statutit dhe rregullorës për anëtarësim në Rrjetin e Arsimit të të Rriturve në Kosovë – ALE NK. Në këtë punëtori morën pjesë 9 përfaqësues të institucioneve publike dhe jo publike, të cilët njëkohësisht janë edhe themelues të rrjetit ALE NK. Institucionet pjesëmarrëse ishin:
- Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI)
- Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr)
- Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK)
- Qendra për Arsim e Kosovës (OJQ KEC)
- Qendra Rinore – Hareja
- DVV International
Procesi i hartimit të Statutit dhe Rregullores për Anëtarësim filloi me analizimin e dokumenteve të ngjashme të përdorura më parë nga institucione të ndryshme në vend. Duke u mbështetur në këto praktika, pjesëmarrësit përgatitën draft-versionin e Statutit dhe të Rregullores së ALE NK. Dokumenti i hartuar përfshin të dhëna thelbësore për rrjetin ALE NK, duke përfshirë: themeluesit, qëllimin, kriteret dhe procedurat për anëtarësim (bazuar në rregulloren e brendshme të rrjetit), strukturën dhe funksionin e Bordit Drejtues, mbledhjet e bordit, mandatin, procesin e shpërbërjes, procedurat për ndryshimin e Statutit, periudhën e raportimit dhe të vitit financiar etj.
Gjatë punëtorisë u miratuan logoja dhe vula zyrtare e rrjetit. Logoja, e konceptuar si një kombinim i tekstit dhe elementeve vizuale, synon të përfaqësojë në mënyrë të qartë dhe domethënëse identitetin dhe misionin e ALE NK. Ajo do të shërbejë si simboli kryesor i rrjetit në të gjitha komunikimet dhe paraqitjet publike.
Qëllimi kryesor i Rrjetit është të sigurojë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe efektiv ndërmjet ministrive përgjegjëse dhe akterëve të ndryshëm publikë dhe jopublikë në fushën e Arsimit të të Rriturve, me qëllim të institucionalizimit dhe krijimit të një qasjeje ndërsektoriale për arsimin e të rriturve dhe mësimin gjatë gjithë jetës në Kosovë.
Për realizimin e këtij qëllimi, Rrjeti do të ndërmarrë një sërë aktivitetesh, si: fushata informuese dhe promovuese, konferenca, tryeza diskutimi, publikime, vizita studimore, hulumtime, raporte vjetore kombëtare, analiza, trajnime dhe aktivitete të tjera që kontribuojnë në fuqizimin e mëtejshëm të fushës së Arsimit të të Rriturve në Kosovë.
Në kuadër të zbatimit të këtij projekti, ALE NK është në proces të identifikimit të individëve të motivuar dhe të gatshëm të kontribuojnë në zhvillimin dhe zgjerimin e mëtejmë të Rrjetit. Anëtarësimi në këtë rrjet mbetet i hapur për të gjitha organizatat dhe institucionet me interes të përbashkët me misionin e ALE NK.

